Rrjeti i ISIS mes Pogradecit, Shkodrës e Prishtinës
Ervin Duka, mbështetësi i ISIS i arrestuar dy javë më parë në Pogradec, pasi në banesë iu gjet tritol dhe disa fishekë, kishte komunikime me 4 personat e arrestuar në Shkodër, për planifikimin e një sulmi terrorist në ndeshjen Shqipëri – Izrael.
29 – vjeçari është përgjuar duke folur me dy prej tyre. Prokuroria është hermetike në dhënien e detajeve të bisedave. Por burime të Televizionit Klan thanë se është folur për shtrirjen e aktivitetit të celulës në qytete të tjera.
Duka ka patur komunikim edhe me shqiptarë që luftojnë për ISIS në Siri e Irak. Ndërsa celula e Shkodrës mbante lidhjet me 19 të arrestuarit në Prishtinë. Shqiptarët e Kosovës besohet se do të kryenin akte terroriste, ndërsa celula e Shkodrës dhe Ervin Duka do t’i ndihmonin për të lëvizur në Shqipëri.
Grupit të ISIS në Kosovë iu gjet edhe një dron, 280 gramë eksploziv, 2.5 kilogramë substancë e përzier me eksploziv, armë laptop -ë e mjete të tjera komunikimi. Dyshohet se dronin ata do ta përdornin si armë për të hedhur eksplozivin. Por vendi se ku do të godisnin nuk ka dalë nga përgjimet dhe as nga marrjet në pyetje të të arrestuarve.
Kjo celulë, përveçse dërgonte besimtarë në Siri, për hetuesit është më e rrezikshme se struktura e krijuar nga imamët e dënuar, Bujar Hysa dhe Genci Balla, me të cilët ajo kishte lidhje.
Tv Klan