Kukësi pret hapat fals të rivalëve


Kukësi pret hapat fals të rivalëve

15:00 19/11/2016

Kukësi do të ketë mundësinë të njohë rezultatet e rivalëve, pasi luan i fundit në javën e 11 të Superligës. Skuadra e Ernest Gjokës që kryeson me pikë të barabarta me Skënderbeun luan me Teutën të hënën në Durrës. Ecuria e rivalëve për titullin pritet të ndikojë edhe në presionin që do të ketë skuadra.

“Nëse kundërshtarët tanë fitojnë, presioni do të bie mbi ne. Nëse kundërshtarët tanë humbasin apo ndalen do të kemi një motivim më shumë, prandaj kjo ndeshje që do të luhet të hënën mund të kthehet në favor ose në disfavor”.

Ernest Gjoka nga kjo sfidë ka më pak të huaj në organikë, pasi lojtarët nga Maqedonia, Nijas Lena dhe Izair Emini janë pajisur me pasaportë shqiptare.

“Jam shumë i kënaqur që tashmë do të kem pasaportën shqiptare. Për ekipin gjithashtu është më mirë, pasi ul numrin e të huajve në klub”.

Tirana luan të dielën me Laçin në shtëpi ku nuk thyhet prej vitesh. Trajneri Mirel Josa që është në krye të ekipit prej pak kohësh duket se si synim të parë ka kualifikimin në kupat e Europës.

“Tirana ka disa vite që nuk merr pjesë në kupat e Europës dhe kjo nuk është diçka e zakonshme për një ekip të tillë”.

Java e 11 e Supërligës do të luhet të dielën dhe të hënën.

Tv Klan






Të ngjashme