Vazhdon protesta kundër impiantit/ Banorët e Mbrostarit bllokojnë sërish rrugën


Vazhdon protesta kundër impiantit/ Banorët e Mbrostarit bllokojnë sërish rrugën

11:46 21/11/2016

Rruga nacionale Fier –Lushnje është bllokuar edhe ditën e sotme nga banorët e Mbrostarit. Meqenëse Bashkia ende nuk u ka dhënë një përgjigje lidhur me kërkesat kundër impiantit të mbetjeve në zonën e tyre, banorët thonë nuk kanë ndërmend të ndalin protestat, deri sa të marrin një zgjidhje.

Ashtu si dhe në protestën e zhvilluar ditën e djeshme, ata kanë përdorur goma për të bllokuar rrugën. Trafiku është rënduar sërish, megjithëse aty ndodhen edhe forcat e policisë. Banorët kërkojnë gjithashtu lirimin e Zylyftar Delibashit, banor ky që është arrestuar për tubim të paligjshëm.

Impianti i mbetjeve në Fier është shndërruar në betejë mes banorëve të Mbrostarit dhe Bashkisë së këtij qyteti. Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk – Kraps dhe Portëz ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit.

Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e maxhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit./tvklan.al






Të ngjashme