Byroja përjashton Palokën 5 ditë nga Kuvendi, paqartësi për vendimin ndaj Flamur Nokës
Përplasja e ndodhur të enjten i ka kushtuar përjashtimin me 5 ditë kryetarit të Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka. Vendimi u mor në Byronë e Kuvendit me votat e Partisë Socialiste, teksa kryeparlamentari Meta abstenoi dhe opozita votoi kundër. Demokratët e quajtën arbitrar vendimin.
Për sjellje në kundërshtim me rregulloren pati masë edhe ndaj Flamur Nokës. Por një deklaratë e Taulant Ballës ka shtuar paqartësinë mbi vendimin për Nokën.
Burimet e Kuvendit thanë zyrtarisht për Televizion Klan se të drejtën për të përjashtuar një deputet nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare e ka vetëm Byroja, e cila vihet në lëvizje përmes kërkesës së 7 deputetëve, bazuar në rregulloren e parlamentit.
Ata sqaruan se ndaj deputetit Noka drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj e ka përjashtuar vetëm nga seanca e së enjtes dhe nga regjistrimet audio del që Leskaj është shprehur se nuk ka kërkesë për mbledhjen e Byrosë për Nokën, i cili sot ishte prezent në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë.
Tv Klan