“Investime në çdo cep të Tiranës, të gjithë qytetarët janë njësoj”


“Investime në çdo cep të Tiranës, të gjithë qytetarët janë njësoj”

12:15 22/11/2016 https://youtu.be/2N57PMuK-Fg

Në vitin e dytë të mandatit, në fokus të investimeve të Bashkisë së Tiranës do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. Rruga e Çekrezës në Njësinë Administrative Zall Herr është një nga investimet që sapo ka nisur të realizohet nga bashkia, një rrugë e re me standarde më të mira dhe sinjalistikë të plotë rrugore.

Në nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehu bindjen se ky investim do të përfundojë përpara afatit, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone.

Kryebashkiaku deklaroi se bashkia ka nisur një seri investimesh në të gjithë atë që quhet kurora e Malësisë së Tiranës dhe se shumë shpejt do të përurohet rruga e Krrabës.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve për realizimin e investimeve të bashkisë, të cilat do të përkthehen edhe në rritje të vlerës së pronës për ta.

Edhe administratori i Njësisë Administrative Zall Herr, Arben Maloku falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrugës, e cila do të rrisë komunikimin dhe investimet në këtë zonë. Aktualisht, gjendja e rrugës është e degraduar, e shtruar me zhavorr dhe çakull, me një gjerësi nga 4 në 4.5 m.

Falë punimeve që do të realizohen nga Bashkia e Tiranës, rruga do të ketë 2 korsi me një gjerësi 7 metra, me dy kalime, gjerësi asfalti 6m, si dhe bankinë në të dyja anët e rrugës./tvklan.al






Të ngjashme