Një çift shqiptar azilkërkuesish rrezikon burgun në Gjermani


Një çift shqiptar azilkërkuesish rrezikon burgun në Gjermani

17:10 22/11/2016

Një çift shqiptarësh u dëbuan dy herë nga Gjermania pasi iu refuzua kërkesa për azil, por u arrestuan në tentativën e tretë për të hyrë në Gjermani të shtunën.

Një shqiptar 61-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 55 vjeç u ndaluan nga policia gjermane në pikën e kalimit kufitar me Austrinë të Bad Reichenhallit. Çifti udhëtonte me autobus dhe identiteti i tyre nuk bëhet i ditur nga policia gjermane.

Në pasaporta ata kishin marrë dy herë vulën e dëbimit. Hera e parë ishte në maj të 2016-ës, kur autoritetet i kthyen me avion drejt Shqipërisë, ndërsa e dyta, në fillim të nëntorit kur ata u kthyen në atdhe me karter.

Rastin tashmë e ka marrë në dorë prokuroria e qytezës Traunstein në Bavari. Çifti i shqiptarëve rrezikon dënimin me disa muaj burg për kalim ilegal të kufirit dhe shkelje të urdhrit për ndalimin e hyrjes në Gjermani, pavarësisht dëbimit të dyfishtë. Ata do të rikthehen sërish në atdhe.

Mendohet se herën e parë kanë hyrë në Gjermani me valën e azilkërkuesve shqiptarë të vitit të kaluar. Sipas statistikave, gjatë 2015-ës atje kërkuan azil mbi 30 mijë shqiptarë.

Ndërsa sipas statistikave më të fundit, në muajin tetor kërkuan azil 695 shqiptarë. Krahasuar me muajin shtator numri i kërkesave ka rënë me mbi 1500, por niveli i kërkesave vijon të jetë shqetësues për autoritetet gjermane./tvklan.al






Të ngjashme