Nishani letër Kuvendit për buxhetin e mbrojtjes: Në kundërshtim me kërkesat e NATO-s


Nishani letër Kuvendit për buxhetin e mbrojtjes: Në kundërshtim me kërkesat e NATO-s

11:17 26/11/2016 https://youtu.be/1CAmsckXdRI

Presidenti Bujar Nishani përmes një letre drejtuar Kuvendit ka shprehur rezervat e tij në lidhje me projekt-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017. Kreu i Shtetit e cilëson draftin e hartuar nga Ministria e Financave në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe në Strategjinë Ushtarake.

Bujar Nishani, President i Republikës:

Buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në këtë draft buxhet janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së! Krahas të qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e vendit Aspirant në vitin 1999. Vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt – buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi.

Presidenti Nishani, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura thotë se buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës ku Shqipëria bën pjesë.

Bujar Nishani, President i Republikës:

Nënvizoj me shqetësim konstatimin se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli 2% i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhimi i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni.

Kreu i shtetit kërkon nga Ministria e Mbrojtjes një argumentim lidhur me rritjen e numrit të personelit, ndryshe nga sa përcaktohet në dokumentet strategjikë, ku flitet për një reduktim të stafit.

Bujar Nishani, President i Republikës:

Sipas informacionit që gjendet në projekt-buxhetin e vitit 2017 rezulton se Ministria e Mbrojtjes parashikon të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personelit, përtej detyrimeve të përcaktuara. Vlerësoj se një argumentim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është i nevojshëm për këtë çështje.

Ky shqetësim i Kreut të Shtetit vjen pas atij të ngritur për mosdhënien e 20 milionë lekëve edhe për institucionin e Presidencës. Përfaqësues të institucionit të presidencës deklaruan se nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre atëherë Kreu i Shtetit do ta çojë projekt-buxhetin në Gjykatën Kushtetuese./ TV KLAN






Të ngjashme