De Biasi: Një italian kundër kombëtares së tij
Trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi i është rikthyer temës së përfaqësueses italiane. Gjatë një ceremonie ku ka marrë çmimin “Alfredo Macinelli”, që akordohet nga shoqata e trajnerëve, De Biasi ka ritheksuar se ka qenë pranë marrjes së drejtimit të kombëtares italiane të futbollit.
Ai vlerësoi trajnerin Ventura, që sipas tij i ka dhënë provat se ekipi është në rrugë të mbarë.
Tekniku i kombëtares shqiptare ka folur edhe për ndeshjen e 24 marsit kundër Italisë që do të luhet në Palermo.
“Ndeshje tejet e veçantë. Është e tillë për mua si një italian që luan kundër kombëtares së vet dhe në një ndeshje që mbart një domethënie të rëndësishme pasi vlen kualifikimi për në Botëror, dhe ne do të përpiqemi të japim maksimumin”, deklaroi De Biasi.
Tekniku vlerësoi edhe kombëtaren shqiptare, që sipas tij i përkushtohet veçanërisht detajeve dhe kjo vjen nga vëmendja e vazhdueshme e gazetarëve shqiptarë dhe të gjithë ambientit të futbollit.
Si një italian i vërtetë De Biasi ia ka dedikuar meritën e rezultateve të mira të kombëtares shqiptare, profesionalizmit të shkollës së futbollit italiane. Sipas tij ka ardhur koha që trajnerët italianë të vlerësohen me shumë nga federata italiane e Futbollit./TV KLAN