Ministria e Mbrojtjes reagon pas letrës së Presidentit


Ministria e Mbrojtjes reagon pas letrës së Presidentit

15:09 26/11/2016

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas letrës që Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar Kuvendit, lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017.

Sipas këtij dikasteri buxheti në asnjë rast nuk prek arritjen e objektivave në fushën e mbrojtjes dhe aq më pak detyrimet kushtetuese dhe angazhimet në NATO.

Në njoftimin për shtyp Ministria e Mbrojtjes sqaron se “buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 % të prodhimit të brendshëm bruto, ku përfshihen fondi i pagave dhe pensioneve, shpenzime për misione, investime dhe pensione të ish-ushtarakëve”.

Ministria e Mbrojtjes sqaron se “nga negocimi me aleatët strategjikë, SHBA dhe Italinë, që në 3-mujorin e parë të vitit, Forcat e Armatosura do të jetë 100% të pajisura me armatim të standardeve të NATO-s ndërsa mjetet e rënda të transportit të planifikuara për t’u blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë përgjatë 10 viteve në vazhdim do të mundësohen pa pagesë, falë bashkëpunimit nga aleatët duke filluar nga janari i 2017”.

Buxheti i 2017-ës thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes parashikon dyfishimin e personelit në misionet në Afganistan, KFOR, në detin Egje, si dhe në mbrojtjen direkte të kufijve lindorë të Aleancës./ TV KLAN






Të ngjashme