Rama: Kritikat e Krishbaum, qëndrim personal
Kryeministri ka akuzuar deputetët gjermanë të CDU CSU-së në Tiranë ku kërkuan që për Shqipërinë të mos çelen negociatat e anëtarësimit në dhjetor, se pa patur mandatin e Bundestagut lexuan një fletërrufe të hartuar nga Partia Demokratike për të bllokuar integrimin e vendit tonë.
Edi Rama thotë se qëndrimi dhe kushtet e vendosura nga deputeti i Bundestagut gjerman bien ndesh me qëndrimin e Komisionit Evropian, që si kusht të vetëm për çeljen e negociatave të anëtarësimit ka vendosur zbatimin e ligjin të Vettingut.
Duke shpërfillur qëndrimin e deputetëve gjermanë që në Tiranë u artikuluan nga Gunter Krishbaum, kryeministri thotë se i vetmi qëndrim që është duke pritur është ai vendeve anëtare në dhjetor që do të vendosin mbi rekomandimin e 9 nëntorit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit për vendin tonë. Qëndrimin e tij të regjistruar, kryeministri e beri publik në komunikimin e tij javor, pasi prej të shtunës ai gjendet në Gjermani, ku të hënën do të pritet në një takim zyrtar nga kancelarja Merkel./ TV KLAN