François Fillon, kandidati presidencial i konservatorëve në Francë


François Fillon, kandidati presidencial i konservatorëve në Francë

09:41 28/11/2016

Ish kryeministri François Fillon, doli fitues në zgjedhjet paraprake të konservatorëve francezë, duke mundur kundërshtarin e tij të moderuar Alain Juppe.

Në zgjedhjet e para paraprake të stilit amerikan të republikanëve francezë, François Fillon, 62 vjeçar, fitoi 68 për qind të votave kundër 71-vjeçarit, Alain Juppe, po ashtu ish kryeministër, i cili mblodhi vetëm 32 për qind të votave.

Alain Juppe e pranoi humbjen duke përgëzuar rivalin François Fillon për “fitoren e tij të gjerë”. Ai bëri thirrje për bashkim dhe qetësi pas një fushate jashtëzakonisht të ashpër gjatë së cilës ai e akuzoi Fillon për mbështetje ndaj të djathtës ekstreme kundër emigrantëve dhe kundër islamit.

Me interes po ndiqet edhe gara e përfaqësueses së të djathtës së skajshme, Marine Le Pen, kritikat e së cilës për imigracionin dhe myslimanët, kanë bërë jehonë tek shumë votues.

Presidenti socialist, Francois Hollande pritet të njoftojë në javët në vazhdim nëse do të kërkojë të rizgjidhet. Rënia e thellë e popullaritetit të tij e ka dobësuar pozicionin e të majtëve në Francë.

Zgjedhjet presidenciale franceze po shihen si një sprovë e rëndësishme për partitë kryesore tradicionale politike, pas suksesit të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe Brexit-it./ tvklan.al






Të ngjashme