Tentoi të ndryshojë rrjedhën e hetimeve për aksidentin, arrestohet zyrtari i policisë


Tentoi të ndryshojë rrjedhën e hetimeve për aksidentin, arrestohet zyrtari i policisë

16:00 30/11/2016 https://youtu.be/KeVEIcCSMN0

Ka shkuar në katër numri i atë arrestuarve për aksidentin që ndodhi në rrugën Skelë-Ujë i ftohtë, ku humbi jetën 17-vjeçari, Kristi Panajoti.

Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Vlorë ka prangosur shefin e hetimit të aksidenteve në këtë qytet.

Myslym Ismailaj, 55 vjeç, ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me aksidentin. Nga hetimet e mëvonshme ka rezultuar se në datën 29 nëntor ai ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar 21-vjeçari Petro Bego dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin.

Zyrtari i policisë e ka bërë këtë për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.

Të arrestuar me herët janë edhe dy punonjës të firmës “Xh & M Sh.p.k”, që kryente punimet në rrugën Skelë-Ujë i ftohtë: Ilirian Tahmazi, me detyrë Përgjegjës i Sigurimit Teknik dhe Tomorr Cena, me detyrë Inxhinier Zbatues i Projektit.  Ata akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. 

Disa ditë më parë një BMW X6 në timonin e të cilit ishte Petro Bego 21 vjeç dhe pasagjer kushëriri i tij Kristo Panajoti, ka rënë në një kanal të hapur nga punimet që po kryhen për projektin e “Lungomares”.

Nga ky aksident Kristi Panajoti humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të marra. Edhe drejtuesit të automjetit i është komunikuar masa e arrestit, ndërsa ndodhet i shtruar në spital./ tvklan.al






Të ngjashme