Tentoi të manipulonte aksidentin ku humbi jetën 17-vjeçari, lirohet polici
Gjykata e Vlorës ka lënë të lirë shefin e hetimeve të aksidenteve, komisarin Myslym Ismailaj. Togat e zeza kanë vendosur “
detyrim paraqitje pranë shërbimit të provës
”, për 55-vjeçarin, i cili u arrestua dy ditë më parë për shpërdorim detyre. Ai u prangos pas dyshimeve se ka devijuar hetimet në lidhje me aksidentin, ku mbeti i vdekur 17-vjeçari Kristi Panajoti dhe u plagos drejtuesi i mjetit, Petraq Beja, 21 vjeç. Oficeri 55 vjeçar dyshohet se ka ndërhyrë për të favorizuar kompaninë ndërtuese të rrugës, e cila është nën hetim për mosvendosje të sinjalistikës rrugore. Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar Beja i plagosur në këtë aksident. Pasi ka nxjerrë nga dhoma familjarët i ka kërkuar 21-vjecarit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo ndërhyrje është bërë për të nxjerrë si shkak të aksidentit problemet e drejtuesit të mjetit dhe jo mungesën e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit./tvklan.al