Dita e Rinisë, të rinjtë e PD-së dalin në protestë
Të rinjtë e Forumit të Partisë Demokratike kanë protestuar sot në disa institucione qeveritare në Ditën Kombëtare të Rinisë.
Ata janë mbledhur për të protestuar përpara Bashkisë dhe Ministrive të Shëndetësisë, të Brendshme dhe të Arsimit. Pas protestës në këto institucione ata janë zhvendosur të gjithë para Kryeministrisë.
Në protestë kanë dalë dhe të rinjtë e qytetit të Kukësit, të cilët kanë shprehur indinjatën e tyre kundër reformave të qeverisë, veçanërisht asaj të arsimit. Të rinjtë i kanë kërkuar ministres Lindita Nikolla rihapjen e Universitetit të Tiranës në Kukës pasi sipas tyre, po u privohet e drejta e arsimit.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë ka thënë se këta të rinj të cilët po protestojnë janë të nxitur nga partitë politike. Gjithashtu, Rama nuk ka nguruar të publikojë dhe letrën e vlerësimit që i është bërë nga Komisioni Evropian Ministrisë së Arsimit në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA) për rezultatet e studimit të vitit 2015.
“
Të rinjtë e nxitur nga partitë të protestojnë për arsimin të lexojnë rezultatet e Shqipërisë në programin PISA2015”,
shkruan Rama./tvklan.al