Nga e hëna, 70 koordinatorë nisin punën në terren
Nga dita e hënë, 70 koordinatorë të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës do të nisin në terren procesin e ngritjes së asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të pallateve. Bashkia ka nisur zbatimin e projektit të rëndësishëm për harmoninë në komunitet, siç është ai i zgjedhjes së administratorëve të pallateve, të cilët do të luajnë rolin e ndërmjetësit dhe zgjidhësit e problemeve që banorët e pallatit kanë me njeri-tjetrin.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me përfaqësues të njësive administrative, kryepleqtë e lagjeve dhe koordinatorë të zgjedhur, ku prezantoi në detaje projektin e zgjedhjes së administratorëve të pallateve.“Nëse bëjmë gjëra dhe nuk i mirëmban askush, nëse një njeri mban peng një pallat të tërë se nuk paguan faturën për djegien e pompës, nuk jep kontribut për të mirëmbajtur ashensorin, s’ka vlerë. Ndaj, masa konkrete që marrim sot ka të bëjë me vendosjen e administratorëve të pallateve në 5 mijë pallatet e Tiranës, që njëherë e mirë në këtë qytet të ketë rregull, edhe pse jemi një milion banorë, dhe të respektojmë secilin sikur të ishim një familje e vogël. Duke filluar nga dita e hënë do të kemi 70 koordinatorë në terren, të cilët janë rekrutuar nga Bashkia e Tiranës për të bërë një krehje të 5 mijë pallateve dhe për t’u siguruar që ky projekt të dalë me sukses”
, tha Veliaj. Ai shpjegoi hapat që do të ndiqen në ditët në vijim, deri në zgjedhjen e administratorëve dhe fillimin e funksionimit të tyre.“Duke nisur nga kjo fundjavë, banorët e Tiranës do të marrin një letër nga kryetari i Bashkisë, ku shpjegohet procedura dhe nëse një nga punonjësit ose punonjëset me etiketën që tregon që janë punonjës të bashkisë, troket në derën tuaj, është i autorizuar t’ju shpjegojë se si do të funksionojë sistemi. Hapi i parë: do të krijojmë një asamble të banorëve të pallatit. Asambleja e banorëve të pallatit përbëhet nga të gjithë qytetarët që banojnë në atë pallat. Kush ka pronë ose kush është me qira në atë pallat është automatikisht anëtar i asamblesë së pallatit. Prania juaj fizike në atë banesë, në atë territor, ju bën automatikisht sipas ligjit shqiptar, anëtar të asamblesë”,
u shpreh Veliaj. Më pas, të gjithë banorët do të mblidhen për të zgjedhur Asamblenë e Pallatit, e cila nga ana e saj do të zgjedhë kryesinë. Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës, për të krijuar mundësitë që projekti të jetë i suksesshëm, do të bëjë edhe trajnimin e administratorëve, për t’iu shpjeguar atyre kompetencat, por edhe mënyrën sesi duhet të menaxhojnë situatën në pallat. Mandej, administratori do të certifikohet. Ai shprehu besimin se brenda vitit tjetër do jenë zgjedhur të gjithë administratorët e 5 mijë pallateve në Tiranë. Kryebashkiaku tha se nga kjo fundjavë nis edhe projekti tjetër ambicioz i Bashkisë së Tiranës, ai për diferencimin e mbetjeve në burim. Në kuadër edhe të përgatitjeve për festat e fundvitit, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka hapur edhe këtë vit një treg të posaçëm për gjelat e detit në Baldushk, ndërsa theksoi se nuk do të lejohen më shitja e tyre në rrugët e Tiranës. Në fund të takimit, Veliaj tha se të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës që punojnë në terren, do të përfitojnë një shpërblim me rastin e festave të fundvitit./tvklan.al