Mattarella mbyll konsultimet me partitë kryesore
Presidenti italian Sergio Mattarella mbylli këtë të shtunë konsultimet me aktorët kryesorë politikë në vend, me qëllim zgjidhjen e krizës pas dorëheqjes së Kryeministrit Renzi.
Të fundit që patën takime me kreun e shtetit ishin partitë e mëdha, Partia Demokratike, Forza Italia dhe Lëvizja 5 Yjet. Kjo e fundit, ndryshe nga dy forcat e para shtyn për zgjedhje të menjëhershme, me pretendimin se populli vendosi në referendum dhe një qeveri e sajuar nuk do të ishte legjitime.
Partia Demokratike e ish-Kryeministrit Renzi u shpreh pas takimit me Mattarellën se është gatshme të mbështesë Presidentin në çdo nismë për zgjidhjen e krizëzs.
Forza Italia, e përfaqësuar në këto konsultime nga vetë Silvio Berlusconi, nënvizoi rëndësinë që ka Kodi i ri Zgjedhor, duke sqaruar se sistemi me dy dhoma i parlamentit është i panegociueshëm. Kavalieri tha se i propozoi Presidentit zgjedhje të reja pas hartimit të Kodit të ri.
Më herët gjatë mesditës, Ministri i Brendshëm Angelino Alfano tha se forca e tij politike preferon një kabinet Renzi 2, ndërsa mbështet mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse, me të gjithë aktorët politikë.
Mediat italiane shkruajnë se opsionet që Mattarella po mendon janë dy: një qeveri e re e drejtuar nga Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Paolo Gentiloni ose një kabinet Renzi 2.
Presidenti italian mori 24 orë kohë dhe do të kthejë një përgjigje të hënën.
Tv Klan