“Opinion”/ “Policia, ç’ndodhi të shtunën në lokalet e natës?”


“Opinion”/ “Policia, ç’ndodhi të shtunën në lokalet e natës?”

23:57 13/12/2016

"Policia, ç’ndodhi të shtunën në lokalet e natës?",

është kjo tema që ka mbledhur mbrëmjen e sotme një panel të ftuarisht në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Të shtunën e shkuar, Policia e Tiranës ndërmori një operacion antidrogë të koduar “Chaos Party”, ku u arrestuan 11 persona, menaxherë lokalesh, punonjës dhe përdorues të lëndëve narkotike, në disa lokale në zonën e ish - Bllokut. Ditën e sotme, Prokuroria vendosi lirimin e tyre. Arrestimi i 4 menaxherëve të lokaleve u cilësua i paligjshëm, pasi nuk u gjetën prova se ishin të përfshirë në shpërndarjen e drogës, ndërsa për 7 të tjerët u caktua masa e detyrimit të paraqitjes.

Pikërisht ky aksion dhe ajo çfarë pasoi ka qenë dhe në fokus të debatit në “Opinion”, marrë shkas edhe nga reagimet në opinionin publik, mbi të gjitha edhe për faktin se sasia e drogës e gjetur ishte e vogël.

Vetë Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj tha se bëhej fjalë për një operacion rutinë, nga ato që policia e kryeqytetit zhvillon herë pas here në Tiranë.

I pyetur nëse policia kishte patur një leje nga Gjykata për të zhvilluar këtë aksion, Hodaj sqaroi se një gjë e tillë nuk është e nevojshme, pasi ajo kishte të dhëna se aty tregtohej dhe konsumohej drogë.

Sipas tij, lënda narkotike u gjet nga policia kriminale nga agjentët e drogës, pikërisht në këtë moment, lind e drejta e policisë në kushtet e flagrancës të bëjë kontroll.

"Kontrollet në lokale janë të qëllimshme për të sensibilizuar publikun, shoqërinë"

, theksoi më tej Hodaj.

15515921_1410756282277590_886437189_o

A duhen publikuar emrat e të arrestuarve në raste si më lart, sidomos kur ata u lanë të lirë nga Prokuroria vetëm dy ditë më pas?

Gazetarja Rezarta Delisula e konsideroi këtë diçka të gabuar, pasi mund të ndodhë si në rastin konkret që pak orë më vonë, ky njeri, emri i të cilit është bërë publik të dalë i pafajshëm.

“Unë jam një biznesmene, nesër vjen policia në lokalin tim me maska dhe terrorizon gjithë klientët, ndërsa unë kam paguar miliona lekë në shtet si taksapaguese dhe puna më bie e gjitha poshtë”.

Delisula e konsideroi këtë aksion të policisë si një praktikë të frikshme. Madje ajo u shpreh se në kushte të tilla nesër viktima të kësaj praktike të Policisë së Shtetit, mund të biem të gjithë, qoftë edhe për ndonjë inat të një polici.

Nga ana tjetër, gazetari Artan Hoxha tha se disa lokale në Tiranë nuk janë mësuar t’i kontrollojë policia, kjo është edhe arsyeja se përse ky lajm bëri bujë.

“Këto lokale që janë kontrolluar këtë radhë, janë lokale shumë të mëdha dhe me shumë pompozitet. Prandaj ka ndodhur ky reaksion aq i madh. Përshembull, lokali që është kontrolluar në pedonale nuk është kontrolluar asnjëherë. Nuk janë mësuar ata t’i kontrollojë policia. Ka disa vende që policia nuk ndërhynë në Tiranë ose nuk ka hyrë kurrë”.

Ai deklaroi gjithashtu, se në lokalet ku u kryen këto aksione si roje të sigurisë punojnë efektivë të Forcave Speciale, jashtë orarit të punës. Ai tha se kjo praktikë është diçka shumë shqetësuese, pasi policisë dhe agjentëve të antidrogës i është dashur të ndërhyjë në atë mjedis ku ruhet nga efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sipas tij, kjo detyrimisht do të krijojë dekonspiracion dhe vështirëson aftësinë për të kapur kapot e mëdhenj, pasi ata e kanë marrë vesh se do të ndodhë diçka.

/tvklan.al






Të ngjashme