Kreu i BDI Ali Ahmeti viziton Tiranën
Kriza politike në Maqedoni sjell në Tiranë kreun e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Ai është pritur në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Detajet nga takimet janë të pakta ndërsa Meta thotë se në fokus është gjetja e një zgjidhjeje sa më shpejt dhe që të garantojë të drejtat e shqiptarëve sipas marrëveshjes së Ohrit.
Ndërsa në Maqedoni, Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve ka rrëzuar të gjitha ankesat e lëvizjes Besa si të pabaza. Sipas KSHZ-së partia shqiptare që ka marrë 5 deputetë nuk i ka dokumentuar parregullsitë e pretenduara.
Në pritje për shqyrtim janë 8 ankimimet që ka bërë LSDM-ja e Zoran Zaev. Ky i fundit pretendon se mund t’i marrë një deputet VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, duke e çuar në barazim rezultatin mes dy partive të mëdha maqedonase.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM-ja 49, BDI-ja e Ali Ahmetit 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptaret 3, ndërsa PDSH-ja 2. Afati i fundit për publikimin e rezultateve përfundimtare është 20 dhjetori.
Tv Klan