Vritet një taksist në Kavajë, policia arreston autorin: Doja t’i grabisja makinën
Kjo foto e marrë nga një kamera sigurie në qendër të Kavajës zbuloi autorin e një vrasje të ndodhur mbrëmjen e të enjtes.
Në vendin e parë të taksisë së Idriz Karriqit shihet vrasësi i tij, Musa Saraçi, 24 – vjec. Ai e kishte marrë 65 – vjeçarin pranë spitalit të Kavajës dhe e kishte dërguar në fshatin Greth të Komunës Kryevidh, ku rreth orës 22 e kishte qëlluar me thikë dhe e kishte hedhur në një kanal me ferra. Taksinë e tij e kishte shitur disa orë më pas shtetasit Alush Patusha. Familjarët e taksistit kishin denoncuar në polici zhdukjen e tij. Nga verifikimi i kamerave të sigurisë dhe përshkrimi i kolegëve të Karriqit, policia mundi të zbulonte personin e fundit me të cilin ai ishte parë. Një tjetër taksist dhe një shitëse ambulante kanë qenë dëshmitarë, kur Idriz Karriqi, u largua me pasagjerin që dyshohet se e ekzekutoi. 22 – vjeçari Saraçi, nga Gosa, e pranoi krimin sapo u ndalua. Ai tha në polici se kishte patur për qëllim vetëm ta grabiste makinën, të cilën e kishte shitur për 27 mijë lekë tek 45 – vjeçari Patusha, por pas dyshimeve se taksisti mund ta denonconte, e kishte qëlluar disa herë me këtë thikë që u gjet në vendin e ngjarjes. Autori e dërgoi policinë në vendin e ngjarjes dhe tregoi se ku e kishte hedhur trupin. Ai dyshohet se është përdorues i lëndëve narkotike. Policia arrestoi edhe Alush Patushën, pronar i një pike pjesësh këmbimi për automjete në Kavajë, pasi akuzohet se ka blerë sende të vjedhura dhe për pastrim të produkteve të veprës penale. Tv Klan