Miratohet me 80 vota pro buxheti 2017
Kuvendi miratoi në seancën plenare të së enjtes me 80 vota pro projektligjin për buxhetin e vitit 2017. Në votimin për buxhetin e vitit të ardhshëm opozita nuk mori pjesë .
Kuvendi hodhi poshtë me 63 vota kundër amendamentin e paraqitur nga LSI, i cili kërkonte që fondet e parashikuara për laboratorët spitalorë të përdoren për qëllime të tjera të shërbimeve spitalore, në rast të dhënies me koncesion të këtij shërbimi.
Gjatë seancës u miratuan gjithashtu dhe tre pr/ligje, të propozuara nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, që parashikojnë krijimin e lehtësirave në ofrimin e shërbimeve publike. Me 81 vota u miratuan ndryshimet në ligjin “Për nënshkrimin elektronik”; dhe ndryshimet në ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, ndërsa ndryshimet në ligjin “Për dokumentin elektronik” u miratuan me 80 vota.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë, ndërmjet palës shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Shqipëria: plani i ristrukturimit të KESH-t” u miratua me 81 vota.
Anëtarët e rinj të Autoritetit të Konkurencës, Juliana Latifi dhe Ilir Gedeshi u miratuan përkatësisht me 67 vota dhe 65 vota.
Kuvendi miratoi me 82 vota pro dhe pr/rezolutën “Për vlerësimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, ndërsa Kuvendi miratoi edhe Kodin hekurudhor, i mbartur për votim nga seancat parardhëse.
Kuvendi miratoi me 81 vota pro p/ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Me 79 vota pro u miratua p/ligji “Për
taksat kombëtare”, të ndryshuar .
Me 81 vota pro u miratua – Projektligji “ Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar 81 vota pro.
Me 80 vota pro u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar./tvklan.al