“Më shumë investime në periferi të Tiranës”


“Më shumë investime në periferi të Tiranës”

13:01 21/12/2016 https://youtu.be/EGEIEHDEvmM

Bashkia e Tiranës vijon investimet edhe në periferi të qytetit. Kryetari i saj, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Artan Gaçi, inspektoi rrugën Maknor-Kolje-Ledhë në Pezë, e cila shumë shpejt do të ketë cilësi dhe standarde të njëjta me rrugët e tjera të kryeqytetit. Veliaj deklaroi se ambicja e bashkisë është përmirësimi i plotë i infrastrukturës në të tre lagjet kryesore të zonës.

“Për disa është fundi i vitit, për Bashkinë e Tiranës çdo ditë është një fillim i ri dhe një mundësi për të bërë disa gjëra për së mbari. Ambicja jonë është të transformojmë infrastrukturën në tre lagjet kryesore të Pezës, në Maknor, në Ledhë dhe në Kolje, si dhe projektin ta mbyllim jo për 6 muaj sa është projekti, por për 3 muaj, duke u siguruar që pranvera të na gjejë të sistemuar, me rrugë të reja, kanalizime, ndriçim e sinjalistikë”

, tha Veliaj.

Ai u shpreh se këto investime vijnë si rrjedhojë e mirëmenaxhimit të financave, ndërsa u shpreh optimist se ndërhyrjet do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, por edhe në rritjen e vlerës së pronës.

Kreu i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të konsumojnë produktet cilësore të zonës, duke ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë vendase.

“Konsumoni produkte vendase, që rriten në Tiranë, në mënyrë që paratë të mbeten në ekonominë tonë, brenda vendit. Kjo është një nga zonat që prodhon; Ndroqi bën vaj shumë të mirë, Lundra bën verë shumë të mirë, Baldushku bën gjelat e detit. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se fuqinë ekonomike e kemi vetë në dorë”,

tha Veliaj./tvklan.al






Të ngjashme