Vendimi i Kushtetueses, SHBA e BE: Të nis zbatimi i Vetting-ut
Bashkimi Europian ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me rrëzimin e kërkesës së PD-së sa i përket ligjit të Vettingut, një nga ligjet kryesore të reformës në drejtësi.
Në një deklaratë për mediat, theksohet se BE inkurajon autoritetet shqiptare të nisin zbatimin e reformës.
“Drejtësia është thelbësore për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në union”, theksohet ndër të tjera.
Këtë vendim e ka përshëndetur dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. “
Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Vettingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri
”, thuhet ne deklaratën e Ambasadës Amerikane.
Me herët Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen si antikushtetues të Ligjit të Vetting -ut. Vendimi erdhi pas më shumë se tre orë mbledhje në dhomën e Këshillimit, ku mësohet se 6 prej anëtarëve të trupës gjyqësore votuan kundër kërkesës së Partisë Demokratike, ndërsa dy të tjerë pro.
Ky vendim i Kushtetueses vjen pas mbërritjes së opinionit Komisionit të Venecias, të cilit kjo gjykatë iu drejtua për mendim. Rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike bën të mundur zbatimin menjëherë të Ligjit të Vetting -ut, që ishte pezulluar nga Kushtetuesja.
Demokratët e ankimuan ligjin, me argumentin se ai shkelte Kushtetutën, pasi binte ndesh me ndryshimet konsensule të bëra në 22 Korrik, në ligjin themeltar të shtetit dhe tentonte të vinte nën kontrollin e Kryeministrit drejtësinë, duke cënuar parimin e ndarjes së pushteteve, si dhe shkelte Konvetën Europiane të të Drejtave të Njeriut./tvklan.al