Gjurmët e gishtërinjve të tunizianit në kamion, rihapet tregu i Krishtlindjeve
E gjithë vëmendja e forcave të sigurisë në Gjermani është e përqëndruar të 24-vjeçarit Anis Amri, terroristit tunizian që shkaktoi masakrën e së hënës në Berlin ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën 49 të tjerë.
Edhe ato pak dyshime që kishin mbetur rreth përfshirjes së tij në sulm ranë, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i brendshëm Tomas de Maziere, konfirmuan këtë të enjte se në kabinën e kamionit u gjetën gjurmët e gishtërinjve të Anis Amri.
Policia gjermane është angazhuar krejtësisht në kërkim të tunizianit. Disa operacione blic dhe bastisje apartamentesh janë kryer mbrëmjen e së mërkurës në kërkim të terroristit. 4 persona janë vënë në pranga si të dyshuar se kanë lidhje me personin më të kërkuar të momentit në Europë.
Sakaq në Berlin është rihapur tregu i Krishtlindjeve ku ndodhi masakra. Qytetarët kanë mbushur tregun, në shenjë rezistence ndaj akteve terroriste. Forca të shumta policie gjithashtu janë vendosur në dy anët e tregut.
Anis Amri kishte përdorur 6 identitete të ndryshme gjatë qëndrimit në Gjermani, duke u shpëtuar autoriteteve gjermane. Ai ka qenë gjithashtu i denuar me 4 vjet burg ne itali pasi në vitin 2012 kishte djegur një shkollë.
Associated Press raporton se familjarët e tij në Tunizi, shprehen se Anis, është një i droguar me sjellje të dhunshme dhe se është radikalizuar gjatë emigrimit në Europë. Për kapjen e 24-vjeçarit tunizian është vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh./ TV KLAN