Kuvendi miraton amnistinë, lirohen 670 të dënuar


Kuvendi miraton amnistinë, lirohen 670 të dënuar

22:08 22/12/2016

Kuvendi mbylli të enjten në mbrëmje punimet e sesionit parlamentar me miratimin e pr/ligjit “Për amnistinë”.

Me 84 votat e deputetëve të maxhorances iu hap rruga faljes për 670 të dënuar, që kryesisht i përkasin grupeve të margjinalizuara. Ligji nuk amniston ata që janë nën hetim për korrupsion, për vrasje, si dhe përsëritësit e veprave penale dhe dhunuesit në familje.

Kuvendi miratoi sot dhe disa pr/ligje të tjera, ku mes tyre veçohen ato për sektorin bankar. Ndryshimet në ligjin “Për bankat” u kaluan me 79 vota, ai “Për sigurimin e depozitave” u miratua me 78 vota, ndërsa ligji tjerër i rëndësishëm “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka” u miratua me 79 vota.

Deputetët miratuan gjithashtu me 79 vota ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile”, ndërsa pr/ligji “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” kaloi me 78 vota.

Ndryshimet në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura” u miratuan me 75 vota, ndërsa ratifikimi i dy marrëveshjeve, ajo për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Greqi – Shqipëri u kalua me 78 vota dhe marrëveshja tjetër për bashkëpunimin ndërkufitar Itali-Shqipëri-Mal i Zi, 2014-2020 u miratua me 79 vota.

Ratifikimi i marrëveshjes me SHBA-në, “për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit” mori edhe votat e opozitës, 93 gjithsej, ndërsa ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit” u miratuan me 72 vota.

Në séancën e fundit për këtë vit, Kuvendi miratoi edhe disa vendime. Kështu, me 77 vota u miratua struktura dhe përbërja e Autoritetit të Dosjeve, ndërsa me 60 vota pro, 8 vota kundër dhe 5 abstenime Juljana Latifi u zgjodh kryetare e Autoritetit të Konkurencës.

Pervec ligjit “për amnistinë” që kërkonte shumicë të cilësuar(84 vota), deputetët miratuan sot dhe Kodin Hekurudhor, qe gjithashtu kërkonte votim me 3/5 dhe ishte i mbartur nga seancat paraardhëse. Me 82 vota pro parlamenti miratoi dhe Statutin e RTSH-së./tvklan.al






Të ngjashme