SHBA dhe Evropa të rrezikuara nga “ujqërit e vetmuar” të ISIS. Zbulohet plani
Një listë kishash, lokalesh dhe hotelesh, që duhen sulmuar, është publikuar nga ISIS. Shteti Islamik fton “Ujqërit e vetmuar” për të vepruar gjatë periudhës së fundvitit.
Shteti Islamik ka publikuar adresat e qindra vendeve të kultit në Shtetet e Bashkuara si dhe hoteleve, kafeneve, rrugëve dhe tregjeve në Europë, duke nxitur ndjekësit për t’i sulmuar gjatë festive.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane që citojnë disa mesazhe të ndjekësve të ISIS. Në postimin e publikuar në forumin “Sekretet e Xhihadistëve”, një përdorues i identifikuar me emrin Abu Marya al-Iraki dërgon një mesazh në gjuhën arabe ku kërkon që të lyhen me gjak festimet tradicionale të fundvitit.
Ndërsa po i njëjti fton “Ujqërit e vetmuar” që t’i kthejnë festat kristiane në një film horror. Seria e mesazheve që shfaqen në një bisedë të një grupi mbështetës të ISIS, shfaq edhe listën e kishave në 50 shtetet amerikane dhe shoqërohet nga manuale për përgatitjen e përdorimin e armëve dhe eksplozivëve.
Gjithashtu një përdorues tjetër që bënte pjesë në këtë grup, i ka bërë thirrje “bijve të islamit” për të sulmuar kishat, hotelet, kafenetë më të populluara, rrugët, tregjet dhe vendet publike.
Ky i fundit ka shpërndarë një listë me adresa në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Francë dhe Holandë. Lajmi vjen disa ditë pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, për të cilin ISIS ka marrë përgjegjësinë. Nuk është hera e parë që Shteti Islamik publikon një listë të tillë, duke bërë thirrje ujqërve të vetmuar për sulme. / tvklan.al