Lirohet Petrit Vukaj
Me vendim të formës së prerë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka shpallur të pafajshëm ish – Prokurorin e Fierit, Petrit Vukaj. Në Tetor, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me tre vite burg, duke ia konvertuar dënimin në shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Por Gjykata e Apelit, në vendimin e kësaj të mërkure, argumentoi se akuza e korrupsionit ndaj ish – Prokurorit nuk faktohet. Nga hetimi, sipas Prokurorisë rezultoi se Vukaj kishte marrë përsipër zbutjen e dënimit për një të pandehur, si shkaktar i një aksidenti me vdekje.
Bëhet fjalë për rastin e Elton Xhemalit, i cili më 31 Mars të 2015 u arrestua, pasi duke drejtuar mjetin e tij në rrugën Levan – Tepelenë, shkaktoi një aksident që i mori jetën Shefit të Rendit në policinë e Delvinës dhe Përparim Bizhgës, i cili ishte pasagjer i tij.
Shuma që prokuroria thotë se Prokurori Vukaj ka marrë nga vëllai i Elton Xhemalit është 300 mijë lekë të reja. Por sipas togave të zeza, këto prova të akuzës nuk janë bindëse, duke vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të Vukajt.
Tv Klan