
Sërish sulm terrorist në Turqi
Turqia tronditet sërish.
Të paktën 2 persona mbetën të vrarë dhe mbi 10 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të dy makinave-bombë pranë një gjykate në qytetin Izmir, në perëndim të vendit.
Momenti i shpërthimit është kapur nga kamerat e sigurisë në zonë. Sipas medieve në Turqi, dy autorët e atentatit terrorist u vranë nga policia, ndërsa besohet se një terrorist i tretë mbetet në arrati.
Viktimat janë një oficer policie dhe një grua, punonjëse në gjykatë. Autoritetet lokale drejtojnë gishtin te militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që cilësohet si organizatë terroriste nga Ankaraja. Sipas dëshmitarëve, agresorët ishin të armatosur rëndë me kallashnikovë dhe bomba.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pas sulmit që mori jetën e 39 personave dhe plagosi rreth 70 të tjerë. Turqia është vënë shpeshherë në shënjestër të grupeve terroriste, veçanërisht pas nisjes së ofensivës për mposhtjen e ISIS dhe largimin e kurdëve nga kufiri turko-sirian./ TV KLAN