Alternativat për Rei Manajn
Largimi i Rei Manajt nga skuadra Pescara duket i qartë, por destinacioni i ardhshëm i tij nuk po përcaktohet. Ai po stërvitet me abrucezët për momentin, por do të kthehet tek Inter për t’u huazuar sërish.
Sipas Calciomercato.com, për sulmuesin e Kombëtares interesohet edhe Perugia, ku luan edhe një shqiptar, portieri Entonjo Elezaj. Skuadra nga Umbria po përpiqet të kthehet në Serie A pas një mungese të gjatë dhe fazën e parë të kampionatit e mbylli në zonën play off në Serie B.
Rei Manaj shikohet si një ndihmë më shumë për të arritur objektivin. 19-vjeçari është një synim edhe i Las Palmas, ekip i La Liga në Spanjë. Manaj edhe pse shënoi 2 gola gjatë fazës së parë me abrucezët nuk e bindi trajnerin Massimo Oddo, me të cilin pati edhe probleme.
Manaj nuk gjeti hapësirë as tek Inter sezonin e kaluar edhe pse pati besimin e trajnerit Roberto Mancini./ TV KLAN