Shqiptarët “të mbërthyer” në burgjet Britanike


Shqiptarët “të mbërthyer” në burgjet Britanike

15:44 23/01/2017

Sipas të përditshmes britanike “The Sunday Times”, marrëveshja për t’i dërguar tregtarët shqiptarë të drogës në shtëpi për ta shlyer atje dënimin e tyre me burg, ka rezultuar në vetëm 16 prej tyre, të cilët janë zhvendosur nga burgjet e Anglisë dhe Uellsit.

Shqiptarët vuajnë dënime prej më shumë se 4 vitesh dhe mund të ishin kthyer me detyrim në bazë të një marrëveshjeje me qëllim për t’u kursyer taksapaguesve miliona paund dhe për të liruar qelitë.

Kur u nënshkrua marrëveshja, Ministria e Drejtësisë tha se do t’u kursente tatimpaguesve 25 milionë £ për më shumë se 10 vite.

Është e kuptueshme se problemet në sistemin gjyqësor shqiptar kanë penguar kthimin e shumë të burgosurve.

Në vitet 2013-14 kanë qenë rreth 200 shqiptarë në burgjet angleze.  100 prej tyre kishin të drejtën e transferimit të detyrueshëm.

Shqiptarët janë grupi i 5-të më i madh midis 9880 të burgosurve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Keith Vaz, një anëtar i Komitetit të Drejtësisë, tha: “Numri i të burgosurve të kthyer në Shqipëri nën këtë marrëveshje është për të ardhur keq. Taksapaguesi nuk duhet të presë të paguhet për të burgosurit e huaj në këtë mënyrë.”

Në datën 30 qershor të vitit të kaluar, në burgjet britanike gjendeshin 512 shqiptarë, 1012 polakë 745 irlandezë dhe 674 rumunë.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë tha se ishte duke negociuar me qeverinë shqiptare “për të rritur numrin e të burgosurve shqiptarë të transferuar”./tvklan.al






Të ngjashme