Gjykata Supreme i thotë “jo” Theresa May


Gjykata Supreme i thotë “jo” Theresa May

16:45 24/01/2017

Nëse Britania duhet të nisë ose jo procesin e daljes nga BE, i njohur si Brexit, këtë duhet ta vendosë Parlamenti Britanik.

Ky ishte vendimi i Gjykatës Supreme në Britaninë e Madhe, që hedh poshtë kërkesën e qeverisë së Theresa May, e cila kërkoi që Referendumi të ishte i mjaftueshëm dhe detyrues për të nisur procesin e largimit nga unioni.

Kur parashtroi planin e saj për Brexit javën e kaluar, Kryeministrja May premtoi se ai do duhej të merrte edhe ‘ok’ e parlamentit.

Por gjykata vendosi se votimi në parlament duhet t’i paraprijë çdo veprimi të qeverisë në drejtim të Brexit. Nga ana tjetër, gjykata rrëzoi pretendimin që për Brexit ose jo duhet të votonin edhe parlamentet e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut, duke ia lënë këtë të drejtë vetëm parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjykata Supreme e mori vendimin me 8 vota pro dhe 3 kundër. Ajo argumentoi se të drejtën për të vendosur mbi ndryshimet e legjislacionit Kushtetuta ia njeh vetëm parlamentit.

Qeveria gjithsesi ka kohën e nevojshme për të marrë edhe miratimin e parlamentit deri në 31 Mars, që është afati i fundit i vendosur për nisjen e procesit.

Tv Klan






Të ngjashme