Çështja e Balilit/ Meta letër Presidentit: Mblidh Këshillin e Sigurisë


Çështja e Balilit/ Meta letër Presidentit: Mblidh Këshillin e Sigurisë

16:42 25/01/2017

Zvarritja e arrestimit  të shumë të kërkuarit Klement Balili i njohur ndryshe nga shteti  Grek si “Eskobari” i Ballkanit duket se është  kthyer në një çështje shqetësuese për drejtuesit e institucioneve më të larta ligjzbatuese në vend.

Ilir Meta në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit me anë të një letre dërguar mesditën e sotme Presidentit të Republikës Bujar Nishani i kërkon këtij të fundit të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla. 

letra metes

Letra e plotë  që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

I nderuar z.President

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më lejoni që t’Ju parashtroj kërkesën si vijon:

Ashtu siç edhe mund të jeni bërë me dije, nga media e shkruar dhe elektronike apo burime të tjera informacioni, Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t’iu nënshtruar drejtësisë.

Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare, paraqes kërkesën:

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare.

Me besim të plotë në marrjen në konsideratë të kësaj kërkese, Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Me respekt ILIR META

 





Të ngjashme