Këto janë problemet kryesore të qytetarëve


Këto janë problemet kryesore të qytetarëve

17:35 25/01/2017

Një anketim i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nxjerr në pah se papunësia, varfëria dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë tri problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin

Pulsi Publik

i kryer nga ky program me 1 mijë e 300 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Udhëheqësi i projektit, Atdhe Hetemi tha se mbi tre të katërtat e qytetarëve të Kosovës mendojnë që problemet më të mëdha me të cilat aktualisht përballet vendi lidhen me kushtet socio-ekonomike.

Janë papunësia e pasuar nga varfëria dhe e pasuar nga korrupsioni. Këto janë top tri problemet me të cilat kosovarët kanë deklaruar se ballafaqohen në baza ditore. Megjithatë në dy ose tri anketat e fundit vazhdon me u paraqit si problem edhe ndotja e ambientit mandej edhe infrastruktura rrugore. Duke pasur parasysh se ne jetojmë me një vend me probleme të mëdha siç është papunësia dhe varfëria, atëherë në moment kur na shfaqen edhe probleme të natyrës së ambientit apo infrastrukturës rrugore, në një mënyrë të paktën për mua tregon për një ngritje të vetëdijes së shoqërisë edhe të të menduarit të shoqërisë për disa çështje tjera që gjithashtu janë jetike

”, tha ai.

Raporti vë në pah një rënie të përgjithshme të kënaqëshmërisë së qytetarëve më punën e institucioneve dhe me drejtimin politik të Kosovës.

Me rënien e knaqshmërisë me institucione dhe me orientimin politik në Kosovë, ne kemi një ngritje të gatishmërisë së njerëzve për të protestuar për arsye politike. Ngritja është mjaftë relevante pasi që derisa në prill (të vitti 2016), 25 për qind e kosovarëve kanë deklaruar se do të ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike, kjo përqindje në tetor të vitit 2016 është ngritur në 39 për qind

”, tha Hetemi.

Anketa përmbledh edhe opinionet e qytetarëve në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave dhe sipas saj, rreth 90 përqind e konsiderojnë këtë proces të rëndësishëm, në mënyrë që të shfrytëzojnë regjimin pa viza për vizita familjare, arsye turistike, por edhe punësim. Shumica e qytetarëve e shohin qeverinë dhe Bashkimin Evropian si fajtorë për dështimin e deritanishëm të përfshirjes së tyre në regjimin e udhëtimit pa viza.

Anketa është e 12-ta me radhë dhe mbledhë të dhëna mbi mendimet e qytetarëve për institucionet e Kosovës, me përqendrim në çështjet politike, ekonomike, të sigurisë dhe ato zhvillimore. Anketa e publikuar të mërkurën përfshinë periudhën nga muaji Prill deri në Tetor të vitit që lamë pas.

/

Zëri i Amerikës






Të ngjashme