4 të arrestuar për ryshfet ndaj punonjësve të policisë
Katër raste të korrupsionit të qytetarëve ndaj punonjësve të policisë u goditën gjatë të mërkurës nga policia e Shtetit, në Durrës, Lushnjë e Korçë.
Dy nga të arrestuarit janë Vangjel Bardhi e Tofik Shehu, të cilët kanë tentuar të korruptojnë efektivët e policisë në terminalin e portit të Durrësit, pasi kishin kaluar kohën e qëndrimit në vendet e zonës Shengen.
Kështu Vangjel Bardhi tentoi t’i jepte kontrollorit në pikën e kalimit kufitar 50 euro, ndërsa Tofik Shehu, tentoi të korruptonte punonjësin e policisë me 20 euro. Të dy ata u arrestuan në flagrancë me akuzën e korrupsionit.
Në Lushnjë Pëllumb Kolgjini, u arrestua pasi u ndalua nga efektivët e policisë rrugore. Ata kishin konstatuar me radar lëvizjen tej normave të shpejtësisë së
Kolgjinit, i cili tentoi të korruptonte efektivët e policisë. Në Korçë drejtuesi i një kamioni po ashtu u ndalua pasi tentoi t’iu ofronte efektivëve të qarkullimit rrugor 500 lekë, për të shmangur gjobën për mosvënien e rripit të sigurimit./ TV KLAN