“Zonë e Lirë”/ Linda Rei: Isha djalë, ja përse u bëra vajzë
Këtë të premte, në emisionin "Zonë e Lirë" të Arian Çanit, që transmetohet në Televizionin Klan, ishte e ftuar Linda Rei, një 29 - vjeçare e lindur djalë, por e kthyer më pas në vajzë.
Në studio, ajo shpjegoi arsyen përse kishte marrë një vendim të tillë:“Kam lindur djalë, por gjithmonë jam ndier femër dhe kështu përshtata trupin tim sipas shpirtit tim. Kështu është jeta, jeta është shumë e shkurtër dhe s’mund të jetoja dot për njeri tjetër.
Për Çanin, Linda tha se kishte vendosur të mos rrinte ashtu "gjysma-gjysma" por të bëhej komplet vajzë. Në Tetor 2016, Linda Rei, emër të cilin ia kishte zgjedhur një shok, u zgjodh Miss Trans Italia, por tashmë ajo tha se nuk është më trans dhe madje revoltohet, kur të tjerët e thërrisnin ashtu. “Unë që sot jam femër me dokumente, e kam emrin Linda, Linda Rei,
” tha ajo. 29 - vjeçarja tha se transgjinor quhej një person që është në mes djalit dhe vajzës, “ndërsa unë jam vajzë.” Linda tha se jeton në Itali dhe që në moshën 18-vjeçare punonte 12 orë në ditë. Pavarësisht propozimeve për të dalë nga shumë persona, ajo theksoi se është “single”. Çani e pyeti nëse shqiptarët janë kureshtarë për të qenë bashkë me një vajzë që ka qenë më parë djalë, por ajo këmbënguli se ata kur e takojnë rrugëve e “shikojnë si vajzë, ashtu siç jam me të vërtetë.” Ajo tha se kohë më parë kishte humbur shoqërinë dhe se vetëm familja i kishte qëndruar pranë. “Ishte një kohë kur unë u mbylla në vetvete dhe nuk dija si tua shpjegoja të tjerëve,” tha ajo. Linda tha se i mungonte figura e babait, i cili i kishte braktisur mamanë dhe ishte larguar me një tjetër kur ajo kishte qenë ende fëmijë. /tvklan.al