Nuk ka marrëveshje për qeverinë e re
Bashkimi Demokratik për Integrim bëri të ditur se nuk ka marrë një vendim në lidhje me përcaktimin për koalicionin qeveritar në Maqedoni.
Partia shqiptare, pa të cilën nuk formohet dot qeveria e Maqedonisë, me këtë hap ia pamundësoi të mandatuarit Nikolla Gruevski nga VMRO – DPMNE, formimin e kabinetit qeveritar. Ky i fundit kishte afat deri të dielën në mesnatë, që t’i dorëzonte parlamentit të vendit programin dhe numrat e nevojshëm të ligjvënësve, të cilët do ta miratonin qeverinë.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani u tha gazetarëve para selisë së partisë në Tetovë, se BDI nuk mundi të marrë vendim për asnjë prej pesë opsioneve të bëra publike ditë më parë.
“
Nuk pati argumente të mjaftueshme për marrjen e një vendimi”,
tha ai, duke shtuar se diskutimet brenda partisë ishin mjaft konstruktive dhe se vendimi ishte i njëzëshëm. Ai tha se në ditët në vazhdim do të mbahen bisedime me partitë lidhur me formimin e qeverisë së re, që duhet të pasojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 Dhjetorit.
Nga ana tjetër, në partinë VMRO-DPMNE, ka vetëm heshtje. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë, të cilët u mblodhën që nga orët e pasdites, nuk kanë komentuar vendimin e BDI-së.
Pesë opsionet të cilat i kishte theksuar BDI-ja ishin: pjesëmarrja në koalicion me VMRO-në, koalicion me LSDM-në, një qeveri teknike, mbetja në opozitë dhe zgjedhje të reja.
Gjykuar nga zhvillimet e fundit, zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni ende nuk i shihet fundi.
VMRO-ja ka mbajtur qëndrimin zyrtar se nuk pranon dygjuhësinë në të gjithë territorin e vendit, pra krahas maqedonishtes edhe ngritjen e Gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë zyrtare dhe as vazhdimin e mandatit të Prokurorisë së Posaçme, të cilën e vlerëson si përçarëse dhe të politizuar e në shërbim të Lidhjes Social Demokrate. Këto, ndërkaq, ishin kërkesat kryesore të BDI-së dhe të partive shqiptare.
Pas këtyre zhvillimeve, presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov duhet t’ia japë mandatin një personaliteti tjetër. Por, sipas një pjese të vëzhguesve, presidenti mund t’ia dorëzojë mandatin një zyrtari tjetër të VMRO-DPMNE-së, që siç përflitet, ky mund të jetë ministri aktual i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki. Kjo do të përbënte, sipas ekspertëve ligjorë, një precedent, me që mandati në atë rast do të duhej dhënë partisë së dytë më të madhe që doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, që është Lidhja Social Demokrate.
Analistët parashikojnë edhe alternativa të tjera, siç është dorëheqja e presidentit të vendit Gjorgje Ivanov, kuadër i VMRO-së, vetëm për ta thelluar krizën, ndërkohë që parlamenti nuk e ka zgjedhur kryetarin e vet, i cili në atë rast do të merrte kompetencat e presidentit.
Dy faktorët e tjerë politikë shqiptarë, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë ritheksuar qëndrimin se nuk do të hyjnë në një koalicion me VMRO-në, qoftë për shkak të qëndrimeve dhe retorikës anti-shqiptare, apo për shkak të dyshimeve për përfshirjen e zyrtarëve të saj në vepra kriminale dhe skandale korrupsioni./VOA