Shqiptarët dorëzojnë arsenal armësh në polici


Shqiptarët dorëzojnë arsenal armësh në polici

15:23 30/01/2017

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se dorëzimi vullnetar i armëve vijon në të gjithë vendin dhe qytetarët po i përgjigjen pozitivisht amnistisë së shpallur.

“Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë dorëzuar 38 armë zjarri, 9 407 fishekë dhe 16 granata

,” tha policia në një komunikatë për shtyp.

Kështu, policia tha se në Dibër banorët kanë dorëzuar tri armë zjarri dhe 120 fishekë që mbaheshin pa leje që nga viti 1997; në Elbasan janë dorëzuar 5 armë dhe 220 fishekë, ndërsa në Tiranë janë dorëzuar 7 armë dhe 1350 fishekë.                    

Në Fier qytetarët kanë dorëzuar gjashtë armë zjarri, 1434 fishekë e tri granata; në Berat qytetarët dorëzuan 5 armë zjarri, 3800 fishekë e 13 granata defensive, ndërsa në Vlorë u dorëzua një armë zjarri, 1 678 fishekë dhe 6 krehra. 

Dorëzimi i armëve ka vijuar edhe në veri të vendit, ku në Lezhë banorët kanë dorëzuar 4 armë si dhe 315 fishekë; në Shkodër janë dorëzuar tri pushkë, një automatik, një pistoletë “Trofe” dhe 290 fishekë, ndërsa në Has banorët dorëzuan dy armë zjarri dhe 200 fishekë të cilat mbaheshin pa leje që nga viti 1997.                

Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për dorëzimin vullnetar të armëve dhe iu bën thirrje të gjithë atyre që disponojnë armë pa leje, t’i dorëzojnë ato brenda afatit, 30 Prill 2017. Pas këtij afati, personave që iu gjenden armë në banesë nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga amnistia por do të përballen me ligjin./tvklan.al






Të ngjashme