Gjermani, 1 mijë policë në një aksion anti-terror
Policia gjermane ka zhvilluar gjatë orëve të fundit një mega-operacion kundër grupeve terroriste të lidhura me Shtetin Islamik. Në pranga kanë rënë 4 persona.
Mega-operacioni u përqendrua në Frankfurt, ku në orët e para të mëngjesit të së mërkurës u arrestua një 36-vjeçar tunizian.
Dyshohet se ai kishte një rol të rëndësishëm në rekrutimin e militantëve dhe dërgimin e tyre në Siri e Irak për llogari të Shtetit Islamik.
Mbi 1 mijë forca policie u angazhuan në shtetin federal të Hesenit ku u kontrolluan 54 objekte, mes të cilave xhami, apartamente e ndërmarrje të lidhura me aktivitete terroriste.
Ndërsa mbrëmjen e të martës, 3 të dyshuar po për rekrutim të terroristëve u arrestuan gjatë operacioneve të zhvilluara në Berlin.
Në kërkim janë edhe 16 persona të tjerë të moshave nga 16 deri 46 vjeç./ tvklan.al