5 milionë lekë për arrestimin e Kelmend Balilit


5 milionë lekë për arrestimin e Kelmend Balilit

15:30 01/02/2017

5 milion lekë ka vënë në dispozicion Policia e Shtetit për arrestimin e Kelmend Balilit. Shpërblimi do t’u jepet personave që kanë informacione e të dhëna të sakta, që mund të çojnë në arrestimin e te kërkuarit për trafik ndërkombëtar droge.

Policia garanton ruajtjen e anonimatit dhe ka vënë në dispozicion një numër telefoni. (

064109188

)

Një javë më parë, policia kreu një sërë kontrollesh në banesat e të afërmve dhe miqve të Kelmend Balilit, në Sarandë, Delvinë e Gjirokastër.

Mbi 12 persona të njohur te Balilit u shoqëruan, por më pas u lanë të lirë.  Shpërblimi vjen në një kohë kur çështja e Kelmend Balilit ka përfshire edhe politikën.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur për të premten Këshillin e Lartë të Sigurisë me kërkesë të kreut të Parlamentit, Ilir Meta, për të diskutuar mbi përgjegjësinë e institucioneve ne mosarrestimin e trafikantit të shumëkërkuar.

Ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh i shqetësuar pak javë më parë, teksa tha se arrestimin e Balilit ua kishte kërkuar tre institucioneve përpara 7 muajsh.

Policia e Shtetit ka sekuestruar edhe dokumentacionin e hotelit luksoz “Santa Quaranta” të Balilit ne Sarandë, duke iniciuar edhe një hetim pasuror. Konkluzionet hetimit nuk janë bërë ende të njohura./ TV KLAN






Të ngjashme