Agresori i “Louvre”, i frymëzuar nga ISIS
Sulmi me hanxhar ndaj ushtarëve në Muzeun e Luvrit, në Paris, sipas të gjitha gjasave është i një natyre të terrorizmit islamik. Autoritetet franceze publikuan detaje rreth agresorit.
Ai është 29 – vjeçari egjiptian, Abdullah Refaei al-Hamamy, personi që shihni në këtë foto. Terroristi kishte mbërritur në kryeqytetin francez më 26 Janar me avion nga Dubai. Prokurori i Përgjithshëm francez, sqaroi se ndonëse bëhet fjalë për një sulm të frymëzuar nga ISIS, ai nuk ishte në listën e anti-terrorit francez.
Mediat franceze shkruajnë se pista e terrorizmit islamik përforcohet nga fakti se egjiptiani kishte postuar disa fraza në rrjetet sociale, ku përmendte Shtetin Islamik. Në llogarinë e tij në Facebook, al’Hamamy, pak çaste para sulmit bënte thirrje për luftë në emër të Allahut, e për hakmarrje ndaj viktimave në Siri.
Disa operacione kontrolli janë zhvilluar në lagjet e Parisit këtë të shtunë, pas dyshimeve se egjiptiani mund të ketë pasur bashkëpunëtorë.
2 ushtarë mbetën të plagosur gjatë sulmit të premten në hyrje të Muzeut të Luvrit. Agresori u qëllua disa herë në bark nga ushtarët të tjerë dhe u shoqërua në spital. E gjithë Franca është në gjendje emergjence, që prej sulmit të 13 Nëntorit ku humbën jetën 130 persona.
Tv Klan