Angelo Massafra deklaratë të fortë para Tahirit


Angelo Massafra deklaratë të fortë para Tahirit

13:32 06/02/2017

Arqipeshkvi i Shkodrës, Angelo Massafra bëri një deklaratë të fortë para Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për arsyen pse shqiptarët mbajnë armë zjarri.

“Njerëzit janë të armatosur sepse kanë frikë. Janë të frikësuar, ndaj mbajnë armë. Nuk janë të sigurt nga shteti. I bëj thirrje që të dorëzojnë armët, por edhe shteti duhet të jetë më i fortë dhe të mbrojë qytetarët në mënyrë që ata të mos mbajnë armë”.

Këtë deklaratë Arqipeshkvi Massafra e bëri në Dajç të Bregut të Bunës, në prani të ministrit, i cili mori pjesë në një aktivitet në kuadër të fushatës për dorëzimin vullnetar të armëve.

Saimir Tahiri:

“Shqipëria pa armë” duhet të jetë objektivi ynë madhor, për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, një ekonomi më të fortë, një shtet më të fortë. Njerëz që gjejnë mundësi për të bashkëpunuar për ndërtuar gjëra pozitive dhe që refuzojnë bashkë dhunën. Asgjë që ndodh sot nga pikëpamja e pasigurisë, vjedhje qofshin apo ngjarje të tjera kriminale, nuk është kurrë arsye për të zgjidhur pasigurinë nëpërmjet armatosjes. Nuk mund të jetë në asnjë vend të botës dhe këtu i referohem botës së zhvilluar. Nuk mund të ecet përpara kur secili merr përsipër të mbrohet vetë, të sigurohet vetë dhe t’i zgjidhi të gjitha vetë. Kjo nuk ndodh, nuk ndodh kështu. Prandaj duhet të investojmë të gjithë bashkë për të bërë një shtet më të fortë, që garanton siguri për të gjithë, prandaj duhet të heqim armët nga duart, për të lënë shtetin të japë siguri për qytetarët. E ne duhet të japim shembullin tonë.

Policia bëri me dije se gjatë 24  orëve të fundit janë dorëzuar 27 arme, 36 predha antitank dhe 7800 fishekë.

/ tvklan.al






Të ngjashme