Përplasje tjetër Presidencë – Ministri e Jashtme


Përplasje tjetër Presidencë – Ministri e Jashtme

19:49 06/02/2017

Institucioni i Presidentit të Republikës dhe Ministria e Jashtme përplasen sërish. Shkak kësaj here është bërë një deklaratë e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, sipas të cilit, Presidenti i Republikës ka marrë sqarim në rrugë institucionale për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të rezolutës për armët bërthamore. Presidenca ka reaguar duke thënë se kjo deklaratë është tërësisht e pavertetë.

Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se, më 11 Janar 2017, Presidenti Nishani ka kërkuar informacion nga Ministri i Jashtëm mbi qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në votimin e datës 23 Dhjetor 2016, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e hapjes së negociatave, për traktatin e ndalimit të armëve bërthamore.

Deri më sot, thuhet në reagimin e Presidencës, nuk ka patur asnjë informacion apo shpjegim me shkrim apo verbal, të ardhur nga Ministri i Jashtëm për Presidentin e Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Ministrit të Jashtëm të mos disinformojë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë dhe opinionin publik me të pavërteta, veçanërisht për çështje kaq thelbësore, për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet aleate strategjike dhe partnere në NATO. Presidenca e fton Ministrin e Jashtëm të bëjë publike shkresën, të cilën ai pretendon se ka informuar në rrugë institucionale Presidentin.

Tv Klan






Të ngjashme