Vijojnë protestat në Rumani, opozita nis mocion mosbesimi për qeverinë


Vijojnë protestat në Rumani, opozita nis mocion mosbesimi për qeverinë

15:09 07/02/2017

Qeveria social demokrate ne Rumani ka bërë thirrje për qetësi pasi mijëra persona kanë protestuar sërish në Bukuresht duke kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e qeverisë.

Nga ana tjetër, opozita rumune ka përpiluar një mocion mosbesimi për qeverinë, i cili do të votohet në parlament ditën e mërkure.

Protestat kanë vijuar edhe pas tërheqjes së dekretit të qeverisë, i cili parashikonte mbrojtjen e politikanëve nga ndjekja penale për korrupsion.

Por, protestuesit mbetën të pakënaqur në lidhje me një variant të rishikuar të projekt-ligjit, i cili pritet të shkojë së shpejti në parlament dhe që sipas protestuesve mund të përmbajë elemente të njëjtë të dekretit të shfuqizuar por të paraqitura në një formë tjetër.

Tubimet masive janë me të mëdhatë që nga rënia e komunizmit në Rumani. Fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të vendosë gjatë javës mbi ligjshmërinë  e dekretit origjinal./Tv Klan






Të ngjashme