Vetëvrasja e shqiptares, policia pyet 10 orë bashkëshortin
Policia italiane ka marrë në pyetje për 10 orë Dante Scrivanon, italianin që jetonte me shqiptaren Elida Zeri, e cila pasi plagosi rëndë djalin e saj 7 - vjeçar vrau veten, duke u hedhur nga kati i tetë në Torino.
Ndryshe nga sa raportoi media një ditë më parë, kur ndodhi ngjarja, burri i ndaluar nga policia tha se nuk ndodhej në shtëpi në momentin e veprimit tragjik, por kishte zbritur poshtë për të pirë kafe dhe blerë cigaret. Kur ka hyrë në shtëpi, ai është përballur me skenën tronditëse. Ai u ka thënë hetuesve se kohët e fundit, 34 - vjeçarja e kërcënonte se do të vriste djalin e tyre dhe veten, si ndëshkim për të. Një ditë pas ngjarjes tragjike, mjekët e spitalit ku është shtruar Joeli 7 - vjeçar thane se djali iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale në mushkëri, mëlçi e shpretkë, si edhe në tendinat e gishtave të dorës. Djali vazhdon të jetë në rrezik për jetën. Ndërsa italiani Dante Scrivano pas pyetësorit të gjatë në polici është lënë i lirë. Tv Klan