BDI, BESA, dhe Aleanca për Shqiptarët nuk heqin dorë nga Platforma


BDI, BESA, dhe Aleanca për Shqiptarët nuk heqin dorë nga Platforma

16:55 02/03/2017

Pavarësisht vendimit të presidentit Gjorge Ivanov, partitë politike shqiptare, nënshkruese të platformës thonë se nuk do të heqin dorë nga mbështetja për Zaevin që ky i fundit të marrë mandatin për formimin e Qeverisë. BDI, BESA, dhe Aleanca për Shqiptarët nuk heqin dorë nga Platforma.

Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e BDI-së të aprovuara nga mbledhja e fundit e kryesisë. Ne na shqetëson tentimi për t’i dhënë krizës aktuale politike dimensionin e konfliktit dhe urrejtjes ndër-etnike, që mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e vendit- tha Bujar Osmani, BDI.

Nga Lëvizja Besa thanë se po shqyrtojnë të gjitha modalitetet për daljen nga kriza politike.

Kryesia ende nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër përpos atij për dhënien e nënshkrimeve që LSDM-ja ta merr mandatin. Pas qëndrimit të djeshëm të Kryetarit mendojmë se parësore është ajo që seriozisht janë të rrezikuar shqiptarët në Republikën e Maqedonisë dhe ne kemi bërë një thirrje deri te faktori ndërkombëtar për ndërhyrje urgjente që të mund të mbrohen shqiptarët në Maqedoni po edhe gjithë qytetarët tjerë – u shpreh Orhan Murtezani, Lëvizja Besa.

Edhe në Aleancën për shqiptarët shprehen të gatshëm për të kontribuuar për zgjidhjen e krizës, ndërsa thonë se platforma duhet të jetë pjesë e programit Qeveritar.

Ne vazhdojmë të theksojmë se platforma shqiptare është pasqyrim i kërkesave të drejta, të ligjshme të shqiptarëve të cilat janë të bazuara në të gjitha konventat ndërkombëtare, në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Vazhdojmë të përkrahim mënyrat dhe mundësitë për t’i realizuar këto të drejta që janë pjesë e platformës së përbashkët dhe insistojmë të gjitha të inkorporohen në programin e ardhshëm qeveritar dhe në mënyrë sa më të shpejtë të zgjidhen – theksoi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Platforma, për të cilën Ivanov nuk i dha mandatin Zaevit, u tha se përfshinë disa pika për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni./INA

 






Të ngjashme