Heqja e nënshtetësisë britanike për 300 shqiptarë, përgjigja në 2018 -ën
Çështja e heqjes së shtetësisë britanike të shqiptarëve kalon testin e parë ligjor, pasi më 27 Shkurt 2017, Gjykata Supreme në Mbretërinë e Bashkuar ka miratuar lejen për të apeluar kundër vendimit të Sekretares britanike të Shtetit për Punët e Brendshme, për heqjen e shtetësisë britanike, që është përfituar nëpërmjet mashtrimit.
Seanca e plotë gjyqësore dhe përfundimtare do të zhvillohet nga fundi i vitit 2017, apo fillimi i vitit 2018 dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Supreme pritet të jepet nga pranvera e vitit të ardhshëm. Të gjitha çeshtjet e tjera që janë në pritje në Home Office, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit do të vazhdojnë të jenë të pezulluara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme. Mësohet se janë mbi 300 raste, kur Ministria e Brendshme britanike Home Office ka nisur procedurat për heqjen e nënshtetësisë britanike emigrantëve shqiptarë, pasi u zbuluan se ata kishin mashtruar me kërkimin e azilit. Home Office ka ngritur një departament të veçantë, i cili ka si qëllim investigimin e azilantëve shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë britanike përmes mashtrimit. Vitin e shkuar, mediat britanike raportuan se dy shqiptarët Avni Metra dhe Saliman Barçi, që të dy nga Burreli, të dënuar për vrasje nga drejtësia shqiptare, kishin përfituan nënshtetësinë britanike përmes mashtrimit./tvklan.al