Opozita: Ja kur futemi në dialog me qeverinë
Opozita duket se ka pranuar ftesën e qeverisë për tu ulur në dialog politik, ndërsa proteston që prej 18 shkurtit duke kërkuar një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita ama ka një kusht, që tryeza sipas tyre nuk duhet të jetë fasadë por e vërtetë.
“
Koalicioni opozitar duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare, shpreh gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë, me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar me qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë:
1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.
2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.
3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut
”, thuhet në deklaratën e PD.
Pas një takimi mes Ilir Metës dhe kryeministrit Edi Rama, nga zyra e qeverisë u njoftua se ata janë gati për dialog me opozitën në Kuvend dhe prej së cilës pret propozime konkrete dhe realiste për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, duke përjashtuar kështu çdo mundësi për qeveri teknike./tvklan.al