Dizdari organizon darkën e ardhshme të bamirësisë
Southport & Irving, restoranti luksoz me pamje nga liqeni i Ardit Dizdarit, shqiptarit që jeton në Chicago, do organizojë darkën e ardhshme të bamirësisë më 23 mars me ushqime të gatuara nga emigrantët.
Çdo muaj, një i ftuar nga një etnitet specifik do vijë të gatuajë të gjitha recetat e familjes së tij.
Shefja e kuzhinës Berta Navarro ishte ajo e cila gatoi recetat e gjyshes së saj nga Jalisco, Meksiko, për darkën e parë të mbajtur në 23 shkurt.
“Ne na pëlqen të shijojmë pjatat nga e gjithë bota. Nuk ka rëndësi se nga vjen në momentin që ulesh e ha diçka me miqtë ose me familjen. Dashuria ime për ushqimin ka lindur duke parë mamanë dhe gjyshën time të gatuanin kur unë kam qenë i vogël”, tha Dizdari që punon edhe si menaxher i përgjithshëm.
Në darkën e 23 marsit, ai do ndihmojë mamanë e tij Myzejenin të gatuajë pjata tradicionale shqiptare./tvklan.al