Basha takon Kryeministrin hungarez, ja çfarë u tha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi sot Kryetarin e Fidesz, njëkohësisht Kryeministër i Hungarisë, Viktor Orban, në Maltë ku dy liderët marrin pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se Basha dhe Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.
Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryeopozitari Basha, thuhet në njoftim, teksa e informoi Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nga ana e tij Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend, thuhet më tej në njoftim.
Basha po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partive Popullore Europiane në Maltë, ku pritet të mbajë edhe fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime të veçanta me liderë europianë.
PPE është grupimi politik më i madh në Parlamentin Europian dhe kryeson Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian./tvklan.al