Schweinsteiger prezantohet tek Chicago Fire
Që futbolli nuk është një sport aq popullor në Shtetet e Bashkuara kjo tashmë dihet. Edhe që lapsuset në gazetari janë të shpeshta edhe kjo nuk është e re. Por një gazetar amerikan ka arritur kulmin kur i ka drejtuar Bastian Schweinsteiger pyetjen më të çuditshme të të gjitha kohërave. Në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të futbollistit për klubin amerikan Chicago Fire, gazetari ka habitur të gjithë.
Gazetari: Me ardhjen tuaj në klub, a është më e qartë rruga e Chicago Fire, drejt garës për Kupën e Botës?
Schweinsteiger, kërkon të kuptojë nga trajneri i tij se ç’po thotë gazetari dhe shenja që bën me dorë tregojnë qartë se ai dyshon se mos vallë gazetari është çmendur?
Teksa zyrtarë të klubit rreken të qartësojnë pyetjen, gazetari insiston edhe një herë, duke treguar se nuk bëhet fjalë për lapsus por për gafë.
Menaxheri i përgjithshëm i klubit i përgjigjet se Chicago Fire nuk garon për kupën e botës, por për kupën e Major League Soccer.
Vetë gjermani kërkon ta shpëtojë gazetarin nga turpi duke thënë se shpreson që të vijë koha kur Chicago Fire të garojë për botërorin e klubeve.
Një ditë më parë kampioni i botës Bastian Schweinsteiger, u prezantua si blerja më e re e klubit amerikan.
Tv Klan