Londra në udhëkryq
Menjëherë pasi Kryeministrja Theresa May aktivizoi Artikullin 50 të Traktatit të Lisbonës, çka shënoi hyrjen në fuqi të Brexit, Britania e Madhe gjendet mes shumë pikëpyetjesh lidhur me hapat intitucionalë që parashikohen.
Synimi kryesor i qeverisë britanike është tranzicioni i butë e i qëndrueshëm, pasi me shkëputjen nga Bashkimi Europian bien normat dhe gjykatat europiane. Vetë Theresa May e vuri theksin pikërisht të ky shqetësim, duke nënvizuar se Britania e Madhe nuk i kthen shpinën Europës.
“Vendimi për t’u ndarë nuk është refuzim i vlerave që edhe ne si europianë ndajmë me Unionin dhe si vend europian ne do të vijojmë të bëjmë pjesën tonë.”
Qëndrimet në vend janë të ndryshme. Për disa është një ditë shprese, ndërsa për të tjerë është një nga zhgënjimet më të mëdha.
Aktivizimi i Brexit provokoi efektin domino në Skoci, ku Kryeministrja Nicola Sturgeon firmosi zyrtarisht kërkesën për një referendum të dytë të Skocisë, për shkëputje nga Britania e Madhe. Mirëpo Londra e kundërshton një hap të tillë, duke u shprehur se do ta bllokojë atë pasi vjen në një moment të gabuar.
Tv Klan